Romë, Mike Pompeo dhe Kryeministri Conte për politika ndërkombëtare dhe tregtare. Sekretarit të Shtetit i dhurohet pa protokoll...një copë djathi kaçkavall

2 Tetor 2019, 11:08

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ka nisur një vizitë katër ditore në Itali, e para pas krijimit të qeverisë Conte 2.

Dje në Romë, gjatë takimit me Kryeministrin Giuseppe Conte, ai kërkoi më shumë fonde për sigurinë, diskutoi për uljen e taksave doganore, politika ndërkombëtare dhe tregtare, kryesisht marrëdhëniet me Libinë dhe me Rusinë.

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit vjen në njeë kohë kur ai gjendet tërësisht I përfshirë në Dosjen Ukraina, pas zbulimit të thirrjeve telefonike midis presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, të cilit iu kërkua të hetonte ish Zv presidentin Joe Biden.

Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Gadishulli Apenin të mbetet i vendosur fort në aleancën e Atlantikut.

"Italia luan një rol vendimtar në sigurinë transatlantike, veçanërisht në sigurimin e krahut jugor të NATO-s përmes pranisë së saj në Libi dhe në botë. Sfidat e sotme globale nënvizojnë rëndësinë e investimeve më të mëdha dhe të qëndrueshme në sektorin e mbrojtjes", thuhet në një shënim të Departamentit amerikan të Shtetit, një mënyrë kjo elegante për t'i kërkuar Italisë më shumë fonde për të kontrolluar ardhjet e emigrantëve. Pikërisht tema e emigrantëve do të jetë në qëndër të bisedimeve të Pompeo me Ministrin e Jashtëm Italian Luigi Di Maio.

E ndërsa diskutimet me Kryeministrin Conte kanë të bëjnë me uljen e taksave doganore që sipas Pompeo dëmtojnë eksportet italiane dhe importuesit amerikanë, Sekretarit të Shtetit iu ofrua pa protokoll një copë djathi kaçkavall, pikërisht  për të kontestuar marrëveshjet e pritshme doganore.

Mike Pompeo do të shkojë edhe në Caramanico, në Abruzzo, në vendin e origjinës së stërgjyshërve të tij.

    No videos found.