Zbardhet dëshmia e Sajmir Sherës: 71-vjeçarin e vrava unë, armën e futa në thes që të mblidhja gëzhojat

7 Gusht 2020, 13:57 | Përditesimi i fundit: 2020-08-07 14:11:07

Sajmir Shera, vëllai i madh, ka pranuar se e ka vrarë ai taksistin 71-vjeçar në Fushë-Prezë. Ai njihet nga policia si një person me precedent të mëparshëm penal, i dënuar më herët. Para grupit hetimor ai ka thënë se ka qëlluar me kallashnikov nga makina dhe armën e kishte futur në një thes në mënyrë që të mblidhte gëzhojat dhe të mos linte gjurmë. Sajmiri tha se i vëllai, Arsili ishte shofer dhe nuk ka qëlluar mbi 71-vjeçarin. "Kam qëlluar unë mbi 71 vjeçarin, ndërsa vëllai ishte shofer. Nuk mund të vazhdonte më ajo histori pasi më ngacmonte nënën, histori që e dinte gjithë fshati. Kohët e fundit mësova se Budlla kishte ngacmuar dhe motrën dhe në këto kushte mora kallashnikovin dhe ika e vrara. Armën e futa në një thes që gëzhojat të binin brenda thesit për të mos lënë gjurmë", tha Sajmir Shara. Sajmiri shprehet se pas ngjarjes ia është larguar në drejtim të Fushë Krujës dhe armën e ka në fshehur në një kamion skrapi.