Rreziku nga ndikimi rus, Olta Xhaçka: Duhet përshpejtuar integrimi në BE

22 Maj 2019, 13:23

Ministrja e Mbrojtjes,  Olta Xhaçka,  e pranishme në konferencën "Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik" tha se Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen sa më shpejtë në Bashkimin Europian.

Xhaçka me pas tha se sa më shumë të vonohet ky proces aq më shumë Ballkani Perëndimor rrezikon të destabilizohet. Në fjalën e saj Xhaçka përmendi edhe rrezikun serioz të ndikimit rus në Ballkan si dhe në Shqipëri. Ndërsa sot në lidhje me këto shqetësime, në Tiranë  janë mbledhur edhe krerët  e agjencive inteligjente të NATO-s.

Fjala e plotw e ministres Xhaçka: 

"Kjo konferencë prek një nga çështjet më të ndjeshme me të cilat përballemi sot të gjithë teksa punojmë për të garantuar sigurinë e vendeve tona.

Besoj që sot nuk ka më asnjë dyshim, në qarqet e atyre që çështjet e sigurisë i kanë profesion, por edhe në qarqet akademike, që vendet tona, shoqëritë tona, përballen me një kërcënim shumë real në formën e influencave të huaja, ku do të veçoja mbi gjithë të tjerat përpjekjet e Rusisë, të cilat synojnë të depërtojnë jo thjesht në qarqet politike, ekonomike apo institucionale, por edhe në mënyrë kapilare në shoqëritë e komunitetet tona. Janë përpjekje që synojnë avancimin e axhendave që bien ndesh me ato që janë prioritetet tona, bien ndesh me axhendën e integrimit evropian dhe që në thelb synojnë të dobësojnë themelet e modelit politik, ekonomik dhe shoqëror që kemi zgjedhur të ndërtojmë në vendet tona.