Rritet përdorimi i parasë CASH/ Qytetarët dhe bizneset preferojnë të paguajnë me para në dorë!

28 Nëntor 2020, 17:42

Niveli i parave jashtë bankave ka arritur në nivel rekord në muajin tetor. Sipas Bankës së Shqipërisë ishin 2.7 miliardë lekë që qarkulloi jashtë bankave në muajin e kaluar me një rritje të vazhdueshme që prej marsit të këtij viti. Sipas ekspertëve kjo lidhet me nivelin e informalitetit dhe me kulturën e qytetarëve për të mbetur tek pagesat me para në dorë. 2.7 miliardë euro qarkulluan jashtë bankave në tetor nga 2.3 miliardë euro që ishte në tetor të vitit 2019 dhe 2.6 miliardë euro ne shtator. Rritja e parasë cash filloi në muajin mars me vendosjen e karantines dhe më pas u bë e vazhdueshme muaj pas muaj. Shifrat tregojnë se bizneset dhe qytetarët po zgjedhin çdo ditë më shumë të blejnë dhe shesin apo dhe të kryejnë pagesa kryesisht me para në dorë. Digjitalizimi dhe avancimi në teknologji ishte një nga sfidat kryesore që u vu re gjatë karantinës në vend. Të varur më së shumti nga kryerja e shërbimeve fizikisht, pengesa e parë më të cilën u përballën shqiptarët ishte përdorimi i platformave online. Si do të bëjmë pagesat e faturave, për të shmangur gjobat dhe shtim të kamatave? Ishte një nga pyetjet që zuri vend në shumë familje këtë vit teksa ishin të mbyllur në shtëpi. Jo vetëm institucionet bankare por edhe ato shtetërore ofruan më shumë shërbime online, por mesa duket shqiptarët preferojnë tradicionalen. Edhe pse bankat këtë vit u përfshinë thuajse nga një fushatë e gjerë për fuqizimin e përdorimit të kartave të kredit, apo kryerja e pagesave nëpërmjet telefonit apo tabletit, rezultatet janë minimale. Kartat duket se po përdoren vetëm për të tërhequr para, ndërsa 80-90% e transaksioneve bëhet me para në dorë. Për ekspertët përdorimi i parasë jashtë sistemit bankar është tregues i informalitetit të lartë në një ekonomi. Po ashtu mbajtja e parave jashtë bankave është edhe një zgjidhje nga biznesi për të mos paguar taksa, apo për të mos deklaruar burimin kur ato janë fituar në rrugë jo të ligjshme.

Kategori të tjera