Rritja e rasteve me COVID, Fico në Report Tv: Nuk do ngurojmë të marrim masa të tjera! Është rritur interesimi për vaksinën ndaj gripit

27 Nëntor 2020, 17:36 | Përditesimi i fundit: 2020-11-27 19:05:23

Me rritjen e shifrave të të infektuarve me koronavirus në vend, drejtoresha e IShP-së, Albana Fico u shpreh se nuk do të ngurojnë që të marrin masa shtesë.

Në një intervistë për Report Tv ajo tha se nuk ka ende një vendim konkret por në bazë të shifrave të koronavirusit gjithçka mund të ndryshojë.

Më lejoni të shpreh ngushëllimet për familjarët që kanë humbur të dashurit e tyre. Shifrat e demonstrojnë situatën e vështirë ku jemi. Këto janë masa të mirëmenduara. Të gjithë faktorët janë diskutuar duke u bazuar në faktorë të ndryshëm. Në të gjithë këtë situatë që po kalojmë. Me shpejtësi janë vendosur në funksion kapacitetet testuese dhe ato spitalore. Spitali COVID 4 është gati së bashku me personelin mjekësor. Një apel për qytetarët është që të mos ngurojnë të kërkojnë ndihmën e shërbimit mjekësor. Ka një moment për të qëndruar në shtëpi që e mbështet mjeku i familjes ndërsa ka dhe një moment që duhen shtruar në spital. Nuk do të ngurojmë që të marrim masa të tjera për të kufizuar transmetimin e këtij virusi. Pandemia nuk varet vetëm nga numri i të infektuarve" - tha Fico.

Aktualisht sipas të dhënave zyrtare janë 17 mijë qytetarë aktivë me koronavirus. Por për këtë Fico u shpreh se nuk është për tu shqetësuar pasi ato janë me simptoma të lehta ose ata që marrin trajtim në banesë.

Ajo u shpreh se lufta kundër koronavirusit nuk duhet bërë në spital por nga vetë qytetarët duke respektuar masat e vendosura nga qeveria shqiptare.