Rritje deri në 90% të eksportit në vendet e BE-së të prodhimeve bujqësore shqiptare

20 Korrik 2019, 15:50

Prodhimet shqiptare të specit, domates, kastravecit, lakrës e shumë perimeve të tjera, po shohin rritje në eksport drejt shumë shteteve të Bashkimit Evropian. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, gjatë një vizite në një pikë grumbullimi të prodhimeve bujqësore në Lushnje, u shpreh se "ka një prodhim të jashtëzakonshëm".

"Po shohim statistikat e këtij 6-mujori dhe është fakt që kemi rritje të eksportit të specit, domates, kastravecit, lakrës dhe shumë perimeve të tjera. Rritja mesatarisht shkon deri në 90%. Kemi rritje në vlerë dhe në çmim krahasuar me vitin 2018”, tha ministri Çuçi.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti sektori bujqësor ka njohur një rritje me 24%. Shqipëria vazhdon të jetë një ndër 20 vendet e para në botë për eksport të domates në volum. Gjatë këtij viti pikat e grumbullimit kanë zgjeruar hartën e tregjeve ku eksportojnë. Përveç vendeve si Italia, Suedia, Anglia, Gjermania, Çekia, Polonia, Bullgaria, Kroacia etj, një pjesë e prodhimeve tona bujqësore shkojnë tashmë edhe në Indi.