Rruga në fshatin Korie Divjakë e shkatërruar, banorët: E kanë prishur firmat...ta ndërtojnë

15 Korrik 2019, 22:20

Kjo që shihni në këto pamje është rruga e fshatit Korie në njësinë Gradisht të Divjakës. Pamjet nuk na lënë vend për fjalë ku asfalti edhe në ato pak pjesë të saj është shkërmoqur.

Gjendja e saj përkeqësohet për çdo ditë, pasi në të kalojnë mjetet e tonazhit të rëndë të kompanisë që po ndërton kanalet e rrjetit vaditës në drejtim të Zharnecit dhe Adriatikut. Banorët shprehin shqetësimin dhe kërkojnë ndërhyrje.

"Ne e kemi bërë vetë rrugën me aq sa patëm mundësi. Erdhi firma bëri kanalin dhe prishi rrugën. Këtu nuk kalohet me motor jo me makinë. Po na çahen gomat e makinave. Shteti duhet të vërë dorë e ti kërkoje llogari firmës që të vije e të bëje rrugën. Firma erdhi rregulloi një gjë e prishi një gjë tjetër." shprehet një banorë.

"Kanë kaluar makina të tonazhit të rëndë dhe e shkatërruan rrugën. Bëmë kërkesë për ta rregulluar. Erdhën, bënë sikur e rregullunë, por asgjë.  Kush është fajtori ta rregulloje se kështu nuk bëhet." thotë një tjetër.

"Makinat e rënda e bënë rrugën copash. Nuk është rrugë kjo kështu" tha një tjetër.

Për këtë situatë ka reaguar edhe zv/kryeministri Erion Braçe,,  i cili së bashku me bashkinë i ka kërkuar prej 3 muajsh kompanisë të rregullojë rrugën e shkatërruar.

Në një postim të tij  Brace bën dy thirrje, së pari kompanisë kineze dhe çdo kontraktori shqiptare të rindërtojnë rrugët e shkatërruar të çdo fshati e rrugë parcelash në të kundërt do të kallëzohen penalisht. Së dyti i bën thirrje çdo institucioni që miraton pagesat dhe merr në dorëzim veprën sipas kontratës të mos paguajnë asnjë qindarkë nëse kompanitë nuk kanë zbatuar kontratën duke verifikuar në terren detyrimet e saj.