Rruga që lidh 12 fshatra në Fier e amortizuar, banorët: E bënë për faqe të zezë... u telendisëm

11 Dhjetor 2019, 20:24

Për të shkuar në 12 fshatra të Njësisë Administrative Frakull, duhet të kalosh në një rrugë e cila gjatë gjithë gjatësisë së saj është me gropa. Shkak i amortizimit të rrugës sipas banorëve të zonës e drejtuesve të automjeteve, janë mjetet e tonazhit të rëndë të cilët kalojnë në këtë aks për të marrë  inerte në kodrat e fshatit Kafaraj.

Banorët  shprehen se pavarësisht ankesave të tyre të herë pas hershme, asnjëherë nuk është marrë ndonjë masë për rregullimin e këtij segmenti rrugor mjaft të rëndësishëm për ta.

Kjo rrugë është shumë e keqe sepse e prishin kamionët e mëdhenj dhe nuk mban. E kanë mbushur disa herë me çakull , por nuk mban. Na u prishën automjetet. Nga Levani në Sheq është për i bret. Kjo rrugë na sjell shumë vështirësi  sepse ushqehemi këtej. Është zonë që mbjellim perime, çdo gjë. U telendisëm. Nga makinat që marrin zhavorrin. Shkatërruan rrugën. Për faqe të zezë e kanë bërë rrugën”, thanë banorët.

Ndonëse, zona ku kalon kjo rrugë është mjaft produktive, duke gjeneruar te ardhura nga kultivimi i perimeve nëpërmjet serave, infrastruktura lë shumë për të dëshiruar.