Rusi, gjykata burg kritikut të Putin, Navalny! SHBA e BE: Arrestimi shkelje e të drejtave themelore

18 Janar 2021, 17:17

RUSI- Kritiku i Kremlinit Alexey Navalny u urdhërua të qëndrojë në paraburgim për 30 ditë gjatë një seance të mbajtur ditën e sotme në më pak se 24 orë pasi ai u kthye në vend dhe pesë muaj pasi u helmua.

Policia e arrestoi Navalnyn, 44 vjeç, më 17 janar, teksa ai po kryente kontrollin e pasaportës në një aeroport të Moskës, pasi u kthye nga Gjermania

Arrestimi i Alexei Navalny, kritikut të Presidentit të Rusisë Vladimir Putin, sapo ka mbërritur në tokën ruse ka sjell reagime të shumta nga SHBA-ja dhe BE-ja, të cilët kërkojnë lirimin e menjëhershëm të tij.

Shefi i politikës së jashtme të BE Josep Borrell i bëri jehonë thirrjes që Navalny të lirohet "Autoritetet ruse duhet të respektojnë të drejtat e Alexei Navalny dhe ta lirojnë menjëherë. Politizimi i gjyqësorit është i papranueshëm," shkroi Borrell në Twitter.

Ministritë e jashtme të Gjermanisë, Italisë dhe Francës gjithashtu kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Navalny.

"Rusia është e lidhur nga kushtetuta e saj dhe nga detyrimet ndërkombëtare ndaj parimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së të drejtave civile," tha ditën e sotme në një deklaratë ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas.

"Arrestimi i Navalny gjatë mbërritjes së tij në Rusi është një çështje shumë serioze, e cila na shqetëson. Ne kërkojmë lirimin e tij të menjëhershëm dhe presim që të drejtat e tij të respektohen", shkroi ministri i jashtëm italian Luigi Di Maio në një cicërimë.