Samiti/ Kim Jong-un shtrëngon duart me Putin: Shpresoj që takimi të jetë i dobishëm

25 Prill 2019, 09:07

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un kanë shtrënguar duart në samitin e parë që po zhvillohet në ishullin Russky afër qytetit port të Vladivostok.

Zyrtarët e Rusisë u shprehën se Putin dhe Kim Jong-un do të diskutojnë për denuklearizimin, por edhe cështje të tjera pas dështimit të bisedimeve mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së.

"Unë jam i bindur që vizita juaj në Rusi do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë se si mund ta zgjidhim situatën në gadishullin Korean dhe çfarë mund të bëjë Rusia për të mbështetur proceset pozitive që po ndodhin aktualisht" tha Putin.

Ndërsa Kim theksoi se shpresonte në "një takim shumë të dobishëm në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilët kanë një miqësi të gjatë dhe histori, në një mënyrë më të qëndrueshme dhe të shëndoshë".

Kremlini beson se bisedimet gjashtë-palëshe mbi Korenë e Veriut, të cilat janë aktualisht të bllokuara, janë e vetmja mënyrë efikase për të trajtuar çështjen e armëve bërthamore në gadishull. Këto bisedime, filluan në vitin 2003, përfshijnë dy koretë Kinën, Japoninë, Rusinë dhe SHBA.