Sezoni i gripit/Ja masat që duhet të marrim - E ftuar shefja e shërbimit të infektivit në QSUT Najada Çomo

30 Tetor 2019, 12:01

Rreziku i prekjes nga virozat ekziston në çdo moment dhe të gjithë janë të rrezikuar, megjithatë mjekja Najada Çomo, shefe e Shërbimit Infektiv në QSUT, thotë që ende nuk ka vend për panik pasi temperaturat e larta në mjedis nuk kanë lejuar që virusi i gripit të përhapet. Sipas mjekes ka viroza të tjera që qarkullojnë në ajër, të cilat shkaktojnë lodhje, rënie imuniteti, por konfirmon që nuk jemi në sezon gripi:

Për të qenë korrekte viti ka gjithmonë viroza, nga janari në dhjetor, por çdo virus ka ‘periudhën e vet të preferuar’. Kemi virozat stinore që i takojnë aparatit të frymëmarrjes që shoqërohet me dhimbje muskulare, temperaturë të lartë dhe me lodhje që zgjat disa kohë. Jemi akoma një hap para gripit, nuk kemi hyrë në zonën që fillon ky virus. Sezoni që jemi ka viroza stinore që perceptohet si grip. Gripi ndodh vetëm një herë në sezon, pastaj mund të sëmurësh nga viroza të tjera që janë të ngjashme me gripin. Dhe kur këto viruse të ndryshme të prekin disa herë, forcat mbrojtëse të trupit bien.”, shprehet mjekja.