Sezoni turistik/ Masat për ruajtjen e sigurisë, bashkëpunim edhe me policinë e Kosovës

22 Korrik 2019, 16:38

Shërbimet e Policisë së Shtetit janë të angazhuara maksimalisht për të garantuar një ambient sa më të sigurt dhe të qetë për pushuesit, apo turistët vendas e të huaj.  Shefi i Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Altin Mena u shpreh se policia ka marrë masat për mbarëvajtjen e këtij sezoni veror, veçanërisht trafikun.

“Si çdo sezon veror, edhe këtë sezon Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e sezonit veror, veçanërisht të trafikut rrugor për shkak të fluksit të madh dhe mbingarkesës që ka sezoni veror në Qarkun e Lezhës. Gjithashtu në shërbim të Policisë lokale kanë ardhur dhe grupet e FNSH-së. Të gjitha shërbimet e Policisë së Shtetit janë në dispozicion të pushuesve dhe qytetarëve që jetojnë dhe banojnë në Qarkun e Lezhës”, u shpreh Mema.

Ernest Ymeraj, oficer i Patrullës së Përgjithshme tha se  patrullat janë të përditshme  për të qenë sa më pranë pushuesve.

“Si çdo ditë ne patrullojmë në të gjithë vijën bregdetare të Shëngjinit, duke iu gjendur sa më afër pushuesve, të cilët janë shumë bashkëpunues dhe dashamirës ndaj Policisë së Shtetit. Kjo gjë na impenjon të jemi sa më pranë tyre, për çdo problem që mund të kenë gjatë pushimeve të tyre. Ju urojmë pushuesve pushime të mbara dhe i sigurojmë që Policia e Shtetit është në shërbim të tyre”!

Në bazë të marrëveshjes, edhe policia e Kosovës është prezent në Shqipëri me patrulla të saj, gjatë verës. 

“Jemi zyrtarë të Policisë së Kosovës. Kemi ardhur në Shqipëri, të bashkëpunojmë sikur është kontrata mes dy shteteve, kështu që do mundohemi të bëjmë disa bashkëpunime të mira, për tu ardhur në ndihmë sipas rregullave të Qarkullimit Rrugor. Do t'i ndihmojmë kolegët shqiptarë për rregullimin e trafikut, pasi ky është një fluks i madh i bashkatdhetarëve tanë si turistë. Besoj që kemi për të kaluar mirë, ju përshëndes për mikpritjen që na keni bërë”, pohoi Bejtush Alshiqi, nga Njësia e Kontrollit të Autostradave në Kosovë.