Sfida e re me valle shqiptare fikson mijëra përdorues të TikTok në mbarë botën

13 Janar 2022, 13:32

Sfida më e re që ka fiksuar përdoruesit e Tik Tok është një kërcim nën ritmet shqiptare. 

Sfida e re e nisur nga dy motra, ka marrë vëmendjen posaçërisht të shqiptarëve.

Aisha dhe Azra Mian kanë një llogari të përbashkët në rrjetin social TikTok, të quajtur Mian Twins. 

Motrat binjake janë me origjinë shqiptare nga ana e mamasë së tyre.

Javë më parë, ato publikuan një video të përbashkët, ku mund të shihet teksa kërcejnë në stilin shqiptar, nën ritmet e një kënge e cila ka tinguj të zhanrit popullor shqiptar.

Ndonëse kënga është e shkurtër dhe e realizuar vetëm për TikTok-un, ka mjaftuar që kjo të zgjojë interesin e mijëra përdoruesve për të realizuar video nën ritmet e këngës.

Një video duke kërcyer në këtë stil e ka publikuar edhe vetë ylli shqiptar, Rita Ora.