Shalsi për Teatrin: Do përmirësojmë projekt/ligjin, dekreti ka disa pika ku nuk biem dakort

12 Shtator 2018, 14:30

TIRANE-Pas letrës që mbërriti në Kryeministri nga Bashkimi Evropian, që këshillon qeverinë që të ftojë edhe aktorë të tjerë të interesuar në garë për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi u shpreh sot në një komunikim për mediat se shumica po reflekton, ndërsa ka vendosur që të amendojë dekretin e kthyer nga Meta për të rihapur garën. Shalsi tha se dekreti i Metës do të amendohet, vetëm në pikën që përcakton hapjen e garës edhe për subjekte të tjera.

Mund të ndërhyjmë në projektligj, të korrektojmë diçka, ju jeni në dijeni të argumenteve nga Presidenti, BE dhe opinioneve që kanë qarkulluar. Është thënë se është godinë me vlera ta veçanta, por askush nuk e ka klasifikuar nga trashëgimia kulturore. Teatri ekzistues përveç anës emocionale, nuk përfaqëson ndonjë vlerë, prandaj duam ti japim Tiranës një teatër modern. Si pasojë e një kërkese, nga një subjekt i njohur, paraqiti një kërkesë. Debati ka qenë a duhet apo jo të ketë një garë. Subjekti zotëronte një sipërfaqe dhe ne e morëm kërkesën parasysh. Nëse do të ishte diskutuar më me seriozitet, mund ta kishim marrë në konsideratë edhe në fillim. Po kristalizojmë idenë për ta përmirësuar ligjin. Dekreti ka shumë pika, disa nga të cilat nuk biem dakord. Ndërkohë që një pikë, ne mendojmë ta përmirësojmë  është që të mos jetë një subjekt, por një thirrje të hapur për cilindo subjekt për ta zhvilluar. Po reflektojmë dhe duam të marrim në konsideratë argumentin, që të mos kemi një subjekt, për projektin. Nuk është rasti i parë që dekretet e Presidentit amendohen, ka ndodhur me ligjin e Turizmit apo Legalizimet. Do të kemi ftesë për cilindo subjekt të interesuar. Komisioni do të gjykojë, do të negociojë para se të vendosë.