SHBA rikthehen në Kosovë me Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i Trump takon Hashim Thaçin dhe Albin Kurtin

9 Tetor 2019, 17:23

I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, të mërkurën dhe të enjten do të qëndrojë në Prishtinë dhe në Beograd.

Ai u takua me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi pas mesditës, por nuk janë dhënë hollësi rreth diskutimeve që u zhvilluan me dyer të mbyllura.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett në një postim në twitter paralajmëroi se Kosovën do ta vizitojë edhe përfaqësuesi i posaçëm amerikan për Ballkanin, Mathew Palmer.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe Serbinë në procesin e bisedimeve, kërkon punë në ekip: i dërguari i posaçëm presidencial Grenell dhe përfaqësuesi i posaçëm Departamentit të Shtetit, Matt Palmer së bashku në Berlin. Të dy do të vizitojnë Kosovën”, shkroi ambasadori Kosnett, duke shpërndarë një fotografi të postuar nga ambasada amerikane ne Berlin, ku të dy zyrtarët e lartë amerikanë shihen teksa bisedojnë me zyrtarët gjermanë për situatën në Ballkan.

Pak ditë më parë presidenti Trump emëroi ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të muajit gusht, sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo kishte emëruar zotin Mathew Palmer si përfaqësues të posaçëm për Ballkanin.

Emërimi i tyre, ndonëse kishte nxitur pikëpyetje ndër shumë vëzhgues, u mirëprit në Kosovë ku roli i Shteteve të Bashkuara vlerësohet i pazëvendësueshëm në të gjitha proceset politike.