Shenjat e 5 orëve përleshje e dhunë në protestën ku opozita ishte "spaktarore"

16 Shkurt 2019, 18:54

Pesë orë protestë mjaftuan për të shkaktuar dëme të konsiderueshme jo vetëm ndaj godinës së kryeministrisë, por edhe në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" i cili u "zhvesh" nga gurët. Me to protestuesit e opozitës së bashkuar qëlluan ndaj kryeministrisë.

Në një video të Report TV, shihen qartë pasojat e kësaj proteste, përmes së cilës opozita kërkoi të rrëzojë qeverinë Rama, një kryeministër sipas tyre, të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Instalacioni i Kërpudhës vendosur në lulishten e godinës së kryeministrisë, u shkatërrua totalisht. Të njëjtin fat pati edhe instalacioni ndriçues i vendosur mbi derën hyrëse të kryeministrisë. Protestuesit vërshuan dhunshëm duke çarë disa herë kordonin e policisë, duke lëshuar shishe me benzinë që shpërthyen në flakë duke detyruar efektivët të largohen nga kryeministria. Kapsollë, tymues, e bomba molotov u lëshuan prej tyre derisa arritën të ngjiteshin në shkallët e kryeministrisë për të shkatëruar skelën mbrojtëse ngritur para derës. Me hekurat dhe dërrasat e skelës, protestuesit thyen xhamin e derës, duke hipur mbi skelë derisa arritën të shkatërrojnë edhe xhamat në dritaret e katit të dytë të godinës. Brenda kryeministrisë në katin e dytë të saj, gjenden akoma gurë, shishe, hekura e dërrasa.