Shfaqja 'Mendjet e vockla' në teatër, regjisori: Për fëmijët s’ekziston një botë korrekte

24 Mars 2019, 14:59

Fëmijë, që jetojnë mes rregullave dhe disiplinës absolute të vendosura nga prindërit e tyre, bëri këtë fundjavë bashkë spektatorët e vegjël, të cilët kishin vendosur të shihnin shfaqjen “Mendjet e vockla”, me tekst edhe regji të Endri Çelës, në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Regi dhe Ullsi janë dy protagonistët, të cilët e kanë ndërtuar jetën, sipas një disipline të mirëkontrolluar nga nëna e tyre. Derisa një ditë në shtëpinë e tyre mësynë për vizitë një zotëri i veçantë nga qyteti “Kotësia e kotë”, ndryshe nga lagia e “Budallenjve”. Regjisori Endri Çela na rrëfen se përse e ka shkruar një tekst të tillë

Endri Çela, regjisor i shfaqjes: “Ka nisur nga një mendje e vogël e imja, plot me fantazi. Doja që të bëja një tekst që të niste tek e mbrapshmja, për t’u kthyer tek e mbara. Doja që të bëja një tekst që t’u fliste të gjithë fëmijëve, por edhe prindërve. Dua shumë që shfaqjet t’i bëjë për fëmijët edhe prindërit”.

Çdo veprim i zotërisë mysafir është i mbrapsht, sepse ai nuk njeh rregulla. Prandaj  në botën e tij do të përfshihen lehtazi edhe fëmijët e vegjël. Mes lojërave të shumta, rrëmujës dhe rregullave që tanimë nuk ekzistojnë më, derisa fëmijët do të kuptojnë gabimet e tyre, për t’u kthyer sërisht në botën e rregullave dhe të argëtimit.

Endri Çela: “Përveç faktit të lojërave, duhet që të përmend edhe fakti i disiplinës, që tek fëmijët jepet në mënyrë shumë korrekte edhe gati-gati ushtarake, ose nuk jepet asnjë disiplinë jepet në dorë të dadove, dhe nuk u kushtohet rëndësi. Unë doja që të thoja, se nuk ekziston një botë korrekte apo shumë e lirë, fëmijët kanë nevojë që të jenë të lirë, të luajnë, të argëtohen, por njëkohësisht edhe të edukohen e arkëtohen”.

Gjatë shfaqjes këngët u interpretuan nga artistët Visi dhe Adriana Tolka. Skenografia është realizuar nga Beqo Nanaj. Interpretojnë: Kleard Germeni, Françeska Hysi, Mateo Dervishaj, Alba Shtrembari dhe Kristina Gorro.