Shkodër, bujtina po shembej por pronari shpëtoi, Agim Dardha në Report Tv: Ecëm mbi pesë orë në dëborë

27 Janar 2021, 14:19 | Përditesimi i fundit: 2021-01-27 15:55:59

Pjetër Lulashi rrezikoi shumë dje pasi u bllokua nga bora në bujtinën e tij në zonën e në Qafë Thores në Shkodër. Një operacion i FNSH dhe AZM-së Shkodër, të ndihmuar edhe nga banorë të zonës, arriti të shmangte tragjedinë.

Kreu i Administratës së Zonave të Mbrojtura, Agim Dardha, në një intervistë të dhënë për Report Tv ka treguar me detaje vështirësitë dhe peripecitë e operacionit, por që fatmirësisht u konkludua me sukses.

Dardha thotë se ishte një udhëtim 5-orësh, shumë i vështirë në borë. Ndërtesa po shembej dhe koha nuk priste.

"E njoh atë zonë. Mu duk diccka e pa arritshme, por falë FNSH-së dhe AZM-së Shkodër u bë evakuimi i atij banori, i cili punon si roje në një bujtinë në qafën e Thores. Me reshjet e fundit, konkretisht të datës 25, pronari i bujtinës njofton Emergjencat Civile në qarkun e Shkodrës për nevojë për ndërhyrjen. Banesa rrezikohej të shembej. Në pa mundësi për të dërguar helikopter se nuk kishte ku të ulej, u bë e mundur ndërhyrja nga forcat speciale të Shkodrës dhe banorët e zonës. Ishte një udhëtim shumë i vështirë që ka zgjatur rreth 5 orë nga Boga deri tek bujtina. Fatmirësisht u gjet gjallë dhe shëndoshë e mirë. U arrit të komunikohej në telefon dhe ai ishte shkaku pasi kishte lajmëruar se ndërtesa rrezikonte shembjen. Cunat që janë futur në bujtinë kanë konstatuar se bujtina ka qenë pothuajse e shembur. Ne besojmë dhe shpresojmë mos të kemi reshje dëbore më pasi bujtina rrezikon të shembet nga momenti në moment. Rrezikshmëria e tejskajshme. Dëbora ishte e lagësht dhe ecja në këmbë ishte shumë e vështirë. Ne urojmë dhe shpresojmë mos të kemi raste të tilla pasi komunikimi është shumë i vështirë. Edhe në këto momente që flasim Thethi është i izoluar nga territori tjetër i Shqipërisë", tha ndër të tjera ai.