Shkodër- Kokainë e prostitucion në një klub nate/ Arrestohen dy menaxherët dhe këngëtari, në kërkim pronari! Procedohet balerina

15 Dhjetor 2019, 15:06

SHKODËR- Një lokal nate në Shkodër i kthyer në strofull për përdorimin e kokainës dhe ushtrimin e prostitucionit ka rënë pre e kontrollit të policisë. Gjatë aksionit të policisë në bashkëpunim me forcat RENEA janë vënë në pranga menaxherët e lokalit Aldo Vruçaj 29-vjeç, Gasper Marku 27-vjeç të dy të arrestuar më herët për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe këngëtari  Zamir Jakupi 57-vjeç.

Ndërsa në kërkim është shpallur pronari i lokalit E. M., si dhe po hetohen në gjendje të lirë balerina e lokalit L. S., 31 vjeçe dhe një klient Ç. P., 33 vjeç.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të gjithë këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë kanë shitur dhe shpërndarë lëndë narkotike kokainë, kanë përdorur ambientet e lokalit për përdorimin e drogave dhe për ushtrim prostitucioni. 

Policia njofton se gjatë aksionit është sekuestruar një sasi të vogël lënde narkotike kokainë dhe sende të tjera që shërbejnë për përdorimin e lëndëve narkotike, 5 aparate celularë dhe dokumentacioni i lokalit ku ushtrohej ky aktivitet. 

"Materialet referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’ në bashkëpunim, ‘’Përshtatja e lokalit për përdorim droge’’, ‘’Prostitucioni’’, ‘’Mbajtja e lokaleve për prostitucion’’ dhe ‘’Fshehja e të ardhurave’, njofton policia.