Shkrihet SHÇBA, krijohet Agjencia e Mbikëqyrjes e Policisë dhe Gardës

28 Nëntor 2020, 19:58

MinisShërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme do të shkrihet, ndërsa Policia e Shtetit dhe Garda do të kontrollohet nga një strukturë e re, e cila do të quhet Agjenci e Mbikëqyrjes Policore. Kështu parashikon një draft i përgatitur nga Ministria e Brendshme, i cili aktualisht është në proces konsultimi, ndërsa pritet të miratohet nga qeveria, për t’u depozituar më pas në Kuvend. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat u krijuar me ligj në vitin 2014, duke zëvendësuar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm (SHKB). Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të ketë më shumë kompetenca se sa SHÇBA. Konkretisht, Agjencia ka si objekt parandalimin, zbulimin dhe hetimin e shkeljeve administrative dhe veprave penale në polici dhe gardë, inspektimin, shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave, procesin e Vetingut në polici si dhe verifikimin e punonjësve mbi plotësimin e kushteve për pajisjen me certifikatë sigurie. Detyrat e reja të Agjencisë janë Vetingu dhe certifikatat e sigurisë. Këto detyra, Agjencia do t’i kryejë përmes përdorimin të testit të së vërtetës (ekzaminimin poligrafik), hetimeve penale dhe inspektimeve.