Shorti i Kupës/ Partizani 'peshkon' Laçin, Rama ironi me Tiranën: Mendova për derbi

24 Shkurt 2021, 16:11

Në ambientet e stadiumit Air Albania është hedhur sot shorti i fazës çerekfinale të Kupës së Shqipërisë që do të luhet me 17 mars dhe do të jetë me tek ndeshje dhe jo si më parë me sistem vajtje-ardhje. Goglat përcaktuan skuadrën pritesë, ndërsa nga zgjedhjet e para përballë u vunë Laçi dhe Partizani. Drejtori i të kuqve Olsi Rama nuk nguroi të bënte edhe pak ironi tallëse me rivalët e qytetit Tiranën.

“Mua dje në formë shakaje po më pyesinin kush dëshiron të bie unë iu thash derbi. Më thanë Tirana është eliminuar (qesh), jo po derbin me Dinamon, të cilën e kemi edhe në kryeqytet, por gjithsesi edhe Laçi këtu afër është. Kupa është një kompeticion që për ta fituar duhet të eliminosh kundër më të vështirë. Laçi është një ekip për t’u kaluar përsa kohë synimi jonë është të fitojmë në çdo kompeticion,”-deklaroi Rama.

Një çift tjetër që përzgjodhën goglat ishte Teuta-Kukësi, me drejtorin e verilindorëve Nderim Nexhipi i cili u shpreh:

“Një short interesant. Teuta është një ekip mjaft cilësor dhe normal do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Është me tek ndeshje dhe ai që do japë maksimumin atë ditë do të kalojë edhe turin,”-u shpreh Nexhipi. 

Një 90 minutësh mjaft interesant do të jetë mes Dinamos së Kategorisë së Parë dhe Skënderbeut. ‘Nëndetsja’ që ishte jo me pak fat, ka gjasë të presë një biletë për në gjysmëfinale.

“Jemi të kënaqur që kthejmë Dinamon në këtë nivel. Gjithsesi kjo përballja i ka munguar futbollit shqiptar dhe këtyre skuadrave prej 9 vitesh. Shorti mendoj se është i mirë dhe them se me pak vështirësi mund ta kalojmë,”-tha Barushi.

Çifti tjetër i Kupës së Shqipërisë do të jetë Korabi-Vllaznia.