Shpërthimet në Gjirin e Omanit! SHBA: Ja videoja që akuzon Iranin

14 Qershor 2019, 15:26

Enigma e sulmit të djeshëm ndaj dy anijeve çisternë në Gjirin e Omanit, ka nisur të qartësohet, duke ringjallur frikën e një konflikti në këtë rajon kyç për tregun e arit të zi, për më tepër që Uashingtoni akuzon Iranin si përgjegjës të incidentit.Ndërsa dje dinamika e asaj që ndodhi nuk ishte ende e qartë, sot duket se hipoteza e një sulmi të mundshëm, është kthyer në realitet. 

Nga ana e komandës qëndrore të SHBA u shfaq një video që tregon ekuipazhin e një anije patrullimi iraniane duke hequr një minë të pashpërthyera nga një prej depozitave të sulmuara në Gjirin e Omanit. Videoja është regjistruar në orën 4:10 të mëngjesit nga një varkë e patrullës së Gashti Class, e cila u afrua pranë njërës prej anijeve të goditura dhe vëzhgoi një anije patrullimi iraniane që po hiqte një minë të pashpërthyer.

Sekretari i shtetit Mike Pompeo akuzoi Iranin se kishte hequr pas shpërthimit një nga minat e pa plasura për të fshehur provat që do ta akuzonin se ishte pikërisht Irani ai që kishte organizuar sulmin. 

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se Irani është "përgjegjës për sulmet ndaj dy tankerave në Gjirin e Omanit". "Përgjigjja amerikane", shtoi Pompeo, "do të jetë ekonomike dhe diplomatike".
Megjithatë, disa burime pranë administratës amerikane kanë raportuar se për administratën Trump të gjitha opsionet mbeten në tryezë, kështu që edhe një përgjigje ushtarake nuk përjashtohet.
Nga ana e tij, Teherani hodhi poshtë kategorikisht akuzat amerikane. Përfaqësuesi i Misionit iranian në OKB tha se: Ne dënojmë me forcë deklaratat e SHBA. Lufta ekonomike amerikane dhe terrorizmi kundër popullit iranian, si dhe prania e tyre masive ushtarake në rajon, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë burimet kryesore të pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë në Gjirin Persik"
Për ngjarjen e rëndë ka reaguar dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. “Ne i bëjmë thirrje të gjithëve të ulin tonet. Bota nuk mund të përballojë një konflikt të përgjithshëm në Gjirin e Omanit".

Nga ana e tij Bashkimi Europian përmes Federica Mogherinit ka apeluar për të gjitha palët, duke u kërkuar prej tyre të "shmangin provokimet".
Ndërkohë, reagimi i Rusisë është më i kujdesshëm: “Shkaqet e aksidenteve ndaj dy tankerëve në Gjirin e Omanit janë ende të panjohura dhe prandaj është e parakohshme të nxjerrin përfundime”, tha zëdhënësi i Presidentit rus Dmitri Peskov, duke kërkuar që të mos vihet menjëherë gishti mbi Iranin./Përgatiti Ilir Çuçi