Shqipëria shkëlqen në kampionatin ballkanik, kuqezinjtë mposhtin Greqinë në një atmosferë elektrizuese

26 Qershor 2019, 17:07

Prej dy ditësh në pallatin e sportit ‘Feti Borova’ po luhet kampionati Ballkanik për moshat U-20 ku Shqipëria po spikat për rezultat pozitive. Kuqezinjtë pas fitores 3-0 me sete në ndeshjen e parë kundër Kosovës, mbërëmë kanë mposhtur po me të njëjtin rezultat përfaqësuesen e Greqisë.

Në një atmosferë elektrizuese, pasi në pallatin e sportit djemtë u mbështetën nga tifozët kuq e zi, vollejbollistët tanë triumfuan në të tre setet. Gjithsesi asgjë nuk ishte e lehtë pasi fillimisht seti i parë u mbyll me rezultatin 26-24, ndërsa dhe në setin e dytë sërish u nevojit pika shtesë, duke që bërë edhe ky set të përfundojë 26-24.

Të rënduar psikologjikisht nga humbjet me rezultat të ngushtë, grekët në setin e tretë nuk mundën të rivalizonin, duke u mposhtur 25-16 dhe duke e mbyllur lojën me 3 sete. Ndërkohë sot Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit në grup pasi do të përballet me Maqedoninë e Veriut.

Kampionati ballkanik është i organizuar në dt grupe, ku tek A-ja bëjnë pjesë Shqipëria, Kosova, Greqia dhe Maqedonia e veriut, ndërsa në grupin B bëjnë pjesë Serbia, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi dhe Rumania.