'Shqipëri-Vietnam, sa më parë marrëveshje për heqjen e taksimit të dyfishtë'

22 Tetor 2019, 12:36

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ndodhet në Tokio, ku po merr pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Perandorit të ri të Japonisë, Naruhito, ku  takoi Kryeministrin e Vietnamit, Nguyễn Xuân Phúc.

Meta vlerësoi marrëdhëniet tradicionale mes Shqipërisë dhe Vietnamit, si dhe shprehu vullnetin e gadishmërinë për forcimin e tyre, në kontekstin e ri të zhvillimeve të të dy vendeve dhe objektivave për zhvillim të qëndrueshëm. 

“Bashkëpunimi i ngushtë në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të OKB-së, rritja e shkëmbimeve ekonomiko-tregëtare, përmirësimi i kuadrit ligjor reciprok, janë të rëndësishme për një dinamikë të re në marrëdhëniet midis dy vendeve”, - nënvizoi Presidenti Meta gjatë takimit me Kryeministrin e Vietnamit,  Nguyễn Xuân Phúc.

Meta dhe Kryeministri i Vietnamit theksuan rëndësinë e nënshkrimit sa më parë të marrëveshjes për heqjen e taksimit të dyfishtë dhe për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve reciproke. 

Kryeministri i Vietnamit, Nguyễn Xuân Phúc i konfirmoi Presidentit Meta ftesën zyrtare të Presidentit të Vietnamit për një vizitë shtetërore me qëllim gjallërimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona.

    No videos found.