Shtëpia e re e drejtësisë, Gjonaj: Qeveria e bëri detyrën, tani presim rezultatet

22 Korrik 2019, 20:26

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se qeveria e bëri detyrën me godinën e re, ndërsa tashmë fjalën e ka drejtësia e re. "Ne e bëmë detyrën tonë. Kjo ndërtesë është në shërbimin tuaj, tani është radha juaj për të ushtruar detyrën Kushtetuese dhe ligjore me një drejtësi të pavarur dhe të paanshme. Reforma i kapërcen kufijtë e vendit tonë.

Qeveria vijon që të mbështesë procesin e reformimit të drejtësisë shqiptare. Pak ditë më parë iu dha KLGJ-së dhe KLP-së të gjitha instrumentet ligjorë. Mbështetja buxhetore ka qenë konstante e padiskutueshme. Qeveria ka alokuar një buxhet tej mundësive, por ka një vlerë të shumfishtë sot dhe nesër.

Një investim për të ardhmen. Pagat e gjyqtarëve janë dyfishuar. Institucionet janë shtuar, buxheti është shumë motivues. Është koha për të bërë ndryshimin e kërkuar" tha Gjonaj.