Si mund të kaloni ankthin e tërmetit? Lexoni këshillat e psikiatres se cfarë duhet të bëni

22 Shtator 2019, 15:59

Psikiatrja Arjana Rreli në një lidhje telefonike për Report Tv dha këshillat e saj se si duhet të veprohet për të kaluar situatën e panikut dhe frikës nga tërmeti që tronditi dje Durrësin dhe Tiranën. "Duhet të vendosim qetësinë tonë, se kjo frenon fantazinë e përfshirë në alarmin e eksperiencës së kaluar dhe mund të rrisë nivelin e stresit dhe kjo mund të na bëjë të instalohet ndonjë problem i shëndetit mendor. E gjithë thirrja që ne bëjmë është që të marrim qetësinë tonë, të bisedojmë, të dëgjojmë nga eksperiencat e të tjerëve.

Kjo është si ajo plaga që mbledh dhe në një moment shpërthen, të tregojmë eksperiencat tona. Fëmijët kanë një fantazi të zhvilluar, por kanë mekanizma mbrojtës të vegjël. Ndërsa pleqëria themi se është si fëmija, prandaj janë dy grupmoshat që e vuajnë këtë, nga pafuqia për të marrë masat. Këto dy grup mosha duhet të asistohen. Duhet të bisedohet për t'i qetësuar. Kam marrë shumë telefona, ne jemi gati për të ndihmuar, pasi pasojat do i hasim në ditët në vijim" tha ajo