Si t’i ruajmë gjatë ushqimet dhe format e konservimit

24 Mars 2021, 10:44

Të gjithëve na pëlqejnë ushqimet e konservuara por ndonjëherë shqetësohemi se sa këto ushqime i ruajnë vlerat e tyre ushqimore. Në një intervistë në emisionin “ Rreze Dielli” nutricionistja Hyrida Basha foli për ushqimet e ndryshme që mund të konservohen dhe kohën që mund të qëndrojnë pa humbur vlerat e tyre.

Ajo u shpreh se konservimi nuk do të thotë se me patjetër një produkt i humbet vlerat e tij ushqimore, por kjo varet nga mënyra e konservimit, koha që produkti qëndron i pakonsumuar.

Një ndër produktet që konservohet më shpesh është lakra e bardhë, ja se çfarë ndodh me vlerat e tij ushqimore në këtë rast:

“Turshitë e lakrës së bardhë  na ofrojnë elemente pa fund mineralesh ndërkohë që na ofron sasi probiotikësh që janë super të nevojshëm për sistemin tonë degjistiv për gjithë shëndetin e zorrës. Përpos kësaj nga lëngu i lakrës turshi të bardhës ne përfitojmë vitaminën U që ndikon jo vetëm në zhvillimin tonë neural por na jep edhe lehtësime të problematikave tona shëndetësore. Por turshi mund të marrim edhe prej karçofit ose argjinares që i quajmë, mund të bëjmë kastraveca turshi, kështu dhe i ruajmë për një kohë të gjatë dhe i konsumojmë kur na duhen por dhe nuk i humbasim vlerat” tha ajo.

Po frutat komposto sa të shëndetshme janë dhe sa i ruajnë vlerat e tyre ushqimore?

Kompostot janë një mënyrë konservimi shumë e mirë, kuptohet duke ruajtur dhe ato balancat gjatë zierjes dhe gjatë përpunimit, kështu që nëse përdorim teknikat e duhura dhe jo shumë sheqer se tek e fundit nuk ka nevojë një frut ti hidhet sheqer atëherë padiskutim është një element i ushqyeshëm që mund ta përdorësh jo vetëm në formën e një mesvakti por edhe të kombinuar në një sallatë” tregoi ajo për emisionin “Rreze Dielli”.

A është një alternativë e mirë ngrirja e frutave dhe perimeve të një stine tjetër për t’i përdorur për një kohë të gjatë? Nutricionistja Hyrida Basha u shpreh se në fakt është një mënyrë shumë e mirë, edhe pse mund të humbasi një sasi të vogël të vitaminave ato vazhdojnë të përmbajnë një pjesë të madhe të tyre edhe pse të ngrira:

“Ajo çfarë ka rëndësi eshtë edhe mënyra se si ne e bëjmë ngrirjen. Frutat mund t’i konservojmë të ngrira ashtu sic janë por nëse flasim pastaj për perimet kemi teknika të ndryshme, duhet bërë pastrimi i disa mikroorganizamve” përfundoi ajo.