Skandali i pasaportave/ Meta shtetësi VIP gruas nga Kosova me motivacionin se kujdeset për familjen

30 Tetor 2020, 20:51

TIRANË- Jo vetëm të këndosh në dasma apo të kesh rekorde kiriminale, por edhe nëse kujdesesh vetë për shtëpinë, je militante partie dhe duhet udhëtoni lirisht nëpër Evropë, për Presidentin Ilir Meta është e mjaftueshme për të të konsideruar ‘aset kombëtar’. Shqiptarja.com sjell sot të dokumentuar një tjetër rast skandaloz dhe të paprecedentë të dhënies së shtetësisë shqiptare nga Presidenti Ilir Meta, në shmangie të ligjit dhe pa plotësuar kriteret bazë, por me alibinë e interesit kombëtar. Bëhet fjalë për zonjën Valdete Bekteshi nga Kosova, e pajisur me shtetësi shqiptare të veçantë VIP nga Ilir Meta, pra në emër të interesit kombëtar, me dekret Nr. 11331, datë 31 dhjetor 2019, bazuar në motivacionin se bashkëshorti i saj nuk jeton më dhe se ajo kujdeset vetë për familjen, kriter ky i mjaftueshëm për Metën, për ta konsideruar personalitet kombëtar.

Në skenë për herë të parë del ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili i ka bërë kërkesën Metës, për t’i dhënë shtetësinë militantes së partisë së tij, ndërsa Meta nuk është menduar dy herë, për të bërë qokën e radhës. Haradinaj e ka firmosur kërkesën në cilësinë e kryeministrit në detyrë në datën 2 shtator 2019, me numër protokolli 2784, ku e përshkruan Bekteshin si një grua të fuqishme dhe militante. Ajo ka qenë edhe kandidate për deputete në Kosovë me partinë e Ramush Haradinaj, por nuk ka fituar.

Në kërkesën e Haradinajt, thuhet se “Duke shprehur konsideratat e mia më të larta për Presidencën që ju drejtoni, me lejoni që të kërkoj shqyrtimin e kërkesës dhe dhënien e shtetësisë për znj. Vledete Bekteshi, aktiviste e shquar nga Prishtina dhe një gruar ndërmarrëse gjithashtu. Zonja Valdete Bekteshi, një grua e fuqishme dhe nënë, e cila kujdeset vetë për familjen, ka dy djem, të cilët i ka rritur pa bashkëshortin, i cili nuk jeton. Valdetja është aktiviste dhe bashkëpunëtore e imja në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Zonja Bekteshi dhe dy djemtë Florent dhe Ylli Bekteshi aplikojnë për pasaportën shqiptare dhe duke ditur vështirësitë që qytetarët e Kosovës ende kanë për pajisjen me viza për të udhëtuar në shtetet evropiane, do të ishte ndihmesë e madh dhe lehtësim për zhvillimin e aktivitetit të saj biznesor, pajisja me pasaportë shqiptare”.

Sipas të dhënave të gjetura online nga Shqiptarja.com, Valdete Bekteshi rezulton pronare e ''Agjencion Patundshmërie Ylli'', një aktivitet për shit-blerje apartamentesh në Kosovë që nuk kërkon asnjë udhëtim jashtë shtetit. Plus që në çdo rast nuk kuptohet pse nënshtetësia është dhënë me të njëjtin arsyetim edhe për dy djemtë e saj.