SKEMA/ Agjencitë turistike falsifikonin testin e COVID dhe dërgonin udhëtarët në vendet e BE

27 Janar 2021, 12:19 | Përditesimi i fundit: 2021-01-27 14:33:00

TIRANË- 4 pronarë të agjensive turistike janë vënë në pranga, pasi kishin vënë në zbatim një skemë mashtrimi të qytetarëve, duke përfituar edhe nga situata e COVID. Në pranga kanë rënë Ergys Vejseli 34 vjeç, Gentiana Konini 44 vjeç, Klotida Çela 32 vjeçe dhe Petrit Cara P. C., 37 vjeç, të katërt banues në Tiranë.

Report Tv mëson nga burime zyrtare se katërshja, të cilët zotëronin një agjensi udhëtimi, u merrnin qytetarëve të ndryshëm 600 euro për t’i dërguar në vendet e Bashkimit Europian, në një kohë kur shumë shtete kanë mbyllur kufijtë. Të përfshirë në çmim, ato bënin edhe falsifikim të formularin COVID dhe garanci të destinacionit të vendit pritës.

Ndaj tyre rëndojë akuzat për veprat penale “Mashtrimi“, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve.

Njoftimi i plotë i policisë
Finalizohet operacioni policor i koduar "Shtegtimi Operacioni i finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. 

Arrestohen në flagrancë 4 shtetas.Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe elektronike, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Shtegtimi”, si rezultat i të cilit është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve:  E. V., 34 vjeç, G. K., 44 vjeçe, K. Ç., 32 vjeçe dhe P. C., 37 vjeç, të katërt banues në Tiranë, me aktivitet tregtar biznes privat agjenci udhëtimi.  

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përfituar nga situata e pandemisë ‘’COVID-19’’, nëpërmjet kamuflimit, për t'u mundësuar udhëtarëve të ndryshëm vajtjen në vendet e BE-së, kryesisht në Gjermani, kanë përfituar shumën 600 euro për person, duke shmangur detyrimet tatimore, si dhe kanë falsifikuar formularë të testit ‘’COVID-19’’ dhe garanci të destinacionit të vendit pritës.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi“, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve.