Sociologu Tushi: Si po dështojnë prindërit shqiptarë në edukimin e DEFORMUAR 'i jap gjithçka' fëmijës

21 Maj 2019, 14:19

Prindërimi është sigurisht një sfidë e vështirë dhe madje mund të konsiderohet edhe një art më vete. Modelet e prindërimit janë nga më të ndryshmet, ndërsa ajo që vihet re në Shqipëri është fakti se prindërimi duket sikur prek kufijtë e posesivitetit dhe ekzagjerimit, specifikisht kur bëhet fjalë për nënat.I ftuar mëngjesin e sotëm në studion e emisionit “Rreze Dielli” në Report Tv, sociologu Gëzim Tushi, Mjeshtër i madh  pohoi se në 30 vitet e fundit të qënit prind në Shqipëri ka ndryshuar shumë.

"Shoqëria shqiptare ka kaluar një evolucion të shpejtë të prindërimit. Ne në tri dekada kemi kaluar nga një model i vjetër paternalist, autoritarist, maskilist, një model në të cilin prindërit ishin gati gati perëndi dhe fëmijët skllevërit e tyre. Sot kemi mbërritur në një model tjetër që unë ndonjëherë them se fëmijët janë bërë mbretërit dhe prindërit janë bërë skllevërit. Kjo është e vërtetë, siç e shikoni sot fëmijët kërkojnë të realizohet gjëja e tyre me çdo kusht dhe prindërit gati gati janë të nënshtruar nga fëmijët e sotshëm.", u shpreh sociologu Gëzim Tushi

Sipas sociologut Tushi ajo që të bën më shumë përshtypje është kontradita që është krijuar në këto realitete të reja ku duket një prapambetje e theksuar e aftësive prindëruese.