Sonte derbi Inter-Milan/ Në lojë gjysmëfinalja e Kupës, skuadrat me motive të ndryshme por qëllim të njëjtë

26 Janar 2021, 12:16

Kupa e Italisë rezervon sonte superpërballjen Inter-Milan, e cila do të jetë e vlefshme për fazën çerekfinale. Derbi është caktuar të nisë në 20:45, ndërsa vlen shumë për secilën skuadër.

Interi vjen pas barazimit me Udinese-n dhe kundër Milanit duhet të tregojë vetën, në një kohë kur ‘djalli’ e mposhti në ndeshjen e parë të këtij sezoni 2-1 për Seria A. Për zikaltërit përveçse hakmarrje është edhe objektiv për t’u arritur, pasi eliminimi nga Champions League nuk të jep luksin e një tjetër dështimi.

Sakaq edhe te Milan situata nuk është më e mira. ‘Djalli’ duhet të konfirmohet pas humbjes me Atalanta-n dhe derbi është ilaçi më i mirë. Për këtë ndeshje teke Pioli nuk do të ketë të disponueshëm Calhanoglu dhe Benaccer, ndërsa Donnarumma është i skualifikuar. Nga minuta e parë pritet Ibra, ndërsa vendin e Kalabrisë do të marë Dalot.

Te Interi Conte do të ulë në stol Martinez për të aktivizuar Sanchez, që do të përbëjë dyshen e sulmit me Lukaku-n. Më tej është vendosur pushim për Young dhe Hakimin, vendet e të cilëve do t’i zënë Perisic dhe Darmian. Një ndryshim edhe në repartin e mbrojtjes, atje ku Kularov do të startojë në vendin e Bastonit.

 Përpara derbit të dy trajnerët kanë vlerësuar rivalin, duke lënë të kuptohet se kjo është rruga më e vështirë për të fituar Kupën. Skuadra që do kualifikohet shkon në gjysmëfinale, i vemti tur i Kupës së Italisë me sistem vajtje-ardhje.