Soreca në Report TV: Në fund të vitit do të jenë gati Kushtetuesja, e Larta dhe SPAK-u

22 Tetor 2019, 22:09

Gjatë intervistës për Report Tv, ambasadori Luigi Soreca shpjegoi se lufta kundër korrupsionit, si dhe kundër krimit të organizuar, natyrisht kërkon impenjimin e magjistraturës dhe të SPAK-ut, por duhet të ketë edhe pjesëmarrjen e qytetarëve.

"Lufta kundër korrupsionit nuk mund të kryhet vetëm nga Gjyqësori. Gjyqësori i vetëm nuk mund ta kryejë këtë gjë, pasi është detyrë e çdo qytetari, e çdo institucioni, e çdo gazetari madje, e çdo përfaqësuesi të shoqërisë civile të kuptojë që vetëm duke i vënë në pah këto gjëra, do të kthehet besimi i qytetarëve tek institucionet. Vetëm duke luftuar pra korrupsionin do të ndodhë kjo gjë", tha Soreca

Ndërsa, lidhur me problemin se nuk fuksionojnë Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë pasi gjyqtarët përjashtohen nga vetting-u, ambasadori u shpreh i bindur se pikërisht kjo konfirmon se vetting-u ishte i domosdoshëm.  

"Ne natyrisht e ndjekim punën e këshillave, të Këshillit të lartë të Gjyqësorit dhe të atij të Prokurorisë, dhe e kuptojmë që po arrijmë shumë afër mundësisë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të ketë kandidatë që të kenë kaluar plotësisht Vetting-un për të lançuar SPAK-un, që kemi 8, dhe që në momentin që do të kenë 10 anëtarë ata, kjo është e mundur. Me sa kemi kuptuar kjo do të ndodhë deri përpara fundit të vitit. Gjykata Kushtetuese pas emërimit të dytë, kemi pra edhe vakanca të tjera të cilat mund të mbushen deri në mes të muajit nëntor, në saje të dispozitave të Kushtetutës që lejojnë një periudhë kohore prej 30 ditësh në rast se nuk do të ketë vendim dhe kjo bën që Gjykata Kushtetuese të funksionojë pothuajse në të gjitha funksionet e saj deri në fund të vitit. Me ç’kemi kuptuar për Gjykatën e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor do të ketë mundësi që të vlerësojë grupin e parë të gjyqtarëve, që do të bëjë pastaj që të funksionojë edhe Gjykata. Dhe sërish kjo deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit që vjen. Pra, po arrijmë atë nivel i cili do të bëjë të mundur funksionimin e gjykatave dhe këtë po kërkon Bashkimi Evropian, këtë po kërkon edhe Bundestagu dhe është e rëndësishme që kjo të ndodhë në mënyrë paralele me vazhdimësinë e punës në Bashkimin Evropian për Samitin e Zagrebit në maj", tha Soreca.