Soreca uron nxënësit në shqip: Kini besim tek vendi juaj, shumë shpejt hapen negociatat

16 Shtator 2019, 11:05 | Përditesimi i fundit: 2019-09-16 18:51:38

Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca në kuadër të fillimit të vitit të ri shkollor, ka uruar këtë të hënë të gjithë nxënësit shqiptarë. Duke dhënë një mesazh të fortë për të rinjtë, Soreca ka deklaruar se shpreson se shumë shpejt Shqipërisë do t'i hapen negociatat për anëtarësimin në BE dhe më pas të bëhet pjesë e familjes Europiane. Soreca ka bërë thirrje që të rinjtë dhe nxënësit të kenë besim tek Shqipëri ashtu siç vetë ai ka.

Sipas Sorecës nxënësit janë e ardhmja europiane dhe për këtë arsye ata duhet të behën më të mirët e mundshëm në radhë të parë për Shqipërinë dhe me pas për BE. Në fund Soreca ka folur edhe shqip duke falenderuar të gjithë të pranishmit.

"Keni besim te Shqipëria ashtu siç kam unë. Shqipëria do të bëhet një vend më i mirë, kini besim. Së shpejti, shpresoj që shumë së shpejti do të hapim negociatat me Shqipërinë në mënyrë që Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE dhe të rikthehet në gjirin e BE, aty ku ky vend i përket gjithmonë. Ju jeni e ardhmja e BE. Duhet të jeni qytetarë më të mirë të Shqipërisë dhe të më pas të BE. Urime për vitin e ri shkollor. Gëzuar. Delegacioni i BE do të jetë pranë jush. Faleminderit të gjithëve'. ka thënë Soreca. 

Kujtojmë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut pritet që të hapin negociatat me BE në Tetor, pasi vendimi i mëparshëm u shty.