SPAK operacion masiv anti-korrupsion, 10 të arrestuar për abuzimet për tenderin për rehabilitimin e kanalit ujitës, mes tyre kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe, vartës të tij e biznesmenë

6 Korrik 2021, 10:58 | Përditesimi i fundit: 2021-07-06 11:39:11

 

SPAK ka ndërmarrë sot një tjetër operacion masiv anti-korrupsion, duke vënë në pranga 10 persona për abuzimet me tenderat në bashkinë Lushnje, mes tyre edhe kryebashkiaku Fatos Tushe. Gazetari Arsen Rusta raporton se të arrestuar janë vartës të Tushes dhe biznesmenë. Ato kanë rënë në pranga për tenderin për rehabilitimin e kanalit ujitës, me vlerë 24 mln lekë të reja. Personat e arrestuar janë vartës (bashkëpunëtorë) të Tushes dhe biznesmenë që dyshohen se kanë abuzuar me fondet publike. Në këto momente vazhdon bastisja e zyrave të bashkisë Lushnje, mes tyre drejtoria e urbanisitikës, aty ku dyshohet se ka materiale që do të provojnë akuzën e SPAK atë të përfshirjës në korrupsion pasiv të zyrtarëve publikë. Ndërkaq FNSH e RENEA po kryejnë kontrolle edhe në Kadastrën e Lushnjës dhe në ndërmarrjen e pasurive publike. Ky operacion që drejtohet nga Manjola Kajana vjen pas një hetimi disa mujor. Është një operacion që do të vijojë jo vetëm në Lushnje, por do të shtrihet në disa qytete. Ishte kreu i SPAK Arben Kraja ai që paralajmëroi se ata qe kanë abuzuar me fondet publike do të ndëshkohen.