SPECIALE/ Mjekët e FA në vijë të parë përballë COVID -19! Bluzat e bardha tregojnë betejën

29 Nëntor 2020, 15:10 | Përditesimi i fundit: 2020-11-29 15:13:18

Nuk janë të dukshëm por ndodhen në vijën e parë të luftës anti-Covid. 30 mjekë dhe infermierë të Spitalit Ushtarak përbëjnë ekipin shëndetësor që kujdesen kryesisht për forcat e Ushtrisë dhe familjarët e tyre. Fillimisht ishin vendosur në një çadër para spitalit të Traumës. Kurse tani janë integruar bashkë me mjekët e tjerë si një mision i përbashkët për t’i ardhur në ndihmë popullatës edhe asaj civile. Në krye të njësisë mjekësore ushtarake është doktor Rushan Muhameti,  tha se mjetët e FA janë në simbiozë me spitalin e Traumës.

 “Njësia mjekësore Ushtarake, pranë Spitalit të Traumës ka si mision sigurimin shëndetësor të Forcave të Armatosura, familjeve të tyre dhe ish-ushtarakëve, njëkohësisht dhe të popullatës civile. Ne këtu punojmë në simbiozë me spitalin e Traumës ku gjithë personeli jonë është integruar në spitalin e Traumës dhe paralelisht punohet me personelin e Traumës. Çdo personel i joni është i angazhuar  në çdo punë që ka dhe spitali i Traumës. Por kryesisht ne jemi për Forcat e Armatosura. Ne menjëherë sa u dha urdhri i ministrisë së Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes në luftë kundra Covid-it, direkt njësia mjekësore ushtarake me urdhër të shefit të shtabit, vendosi çadra për karantinën. U vendosën mbrapa godinës sonë dy çadra të cilat bënin shërbim 24 orësh për karantinimin e të sëmurëve para se të hynin në spitalin e Traumës. Kjo do shërbente shumë sepse për të ruajtur personelin që është një aset i çmuar. Më pas janë bërë të gjithë ekzaminimet dhe tamponimi i të gjithë personave që do të ikin jashtë shtetit për misione, qoftë shkolla, qoftë përfaqësi diplomatike. Njëkohësisht janë bërë tamponim dhe të sëmurëve që kanë pasur kontakt me të sëmurë të diagnostikuar me Covid. Njëkohësisht është bërë tamponimi i të gjithë personave, studentëve apo atyre që do futen në shkollat ushtarake dhe familjarëve të tyre. Paralelisht i është dhënë dhe ndihmë në shtëpi, qoftë me personel qoftë dhe nëpërmjet telefonit për çdo të sëmurë që ka kërkuar ndihmë sidomos për Forcat e Armatosura”, tha mjeku pneumolog Rushan Muhameti, i cili është dhe drejtor i Spitalit Ushtarak.