Spektakël, rivalitet dhe emocione pafund. Teuta mposht Goga Basket dhe barazon serinë e finaleve

16 Maj, 14:30

Finalja e katërt e ‘play-off-it’ në basketboll për meshkuj mes Teutës dhe Goga Basket ka dhuruar spektakël, rivalitet dhe emocione pafund. Në pallatin e sportit ‘Ramazan Njala’ të mbushur plot e për plot në fund triumfoi Teuta me rezultatin 81-71, duke e çuar serinë e finaleve në 2-2 dhe tani do të nevojitet raundi i 5 për të shpallur kampionen e Shqipërisë.

Teuta e cila duhej të fitonte me patjetër këtë sfidë e nisi me marshin e pestë që në fillim, por pas një rezistence në minutat e para të Goga Basket arriti që në fundin e peroidës së parë të krijonte një shkëputje me 5 pikë. Në periodën e dytë pritej reagimi i skuadrës mike që në këtë sfidë u tregua konfuze në parket dhe jo e saktë në realizimin e pikëve, ndaj para se skuadrat të shkonin në pushim Teuta krijoi një distancë prej 13 pikësh, duke e mbyllur 48-35.

Pas pushimit Goga futet me mendime më të qartë në parket dhe luan më me shumë agresivitet dhe dëshirë për të përmbysur. Pas disa momenteve të mira të të besuarve të Lazimit Teuta arrin të rigjejë ritmin dhe ruan avantazhin e pikëve, duke mos e lejuar kundërshtarin të afrohet kërcënueshëm. Goga tentoi me të gjithë mënyrat edhe në 10 minutat e fundit, por tentativat nuk sollën asnjë ndryshim, duke vulosur kështu fitoren e Teutës.

Përveç lojës në grup te Teutë shkëlqeu Genti Lasku me 19 pikë, ndërsa te Goga Basket 24 pikët e realizuara nga Xhokovic nuk i shërbyen skuadrës. Finalja e pestë e ‘play-of-it’ që do të vulosë gjithçka do të luhet më 19 maj në sallën sportive ‘Dhimitraq Goga’.

Kategori të tjera