Stili i jetës në Verë, të ftuar nutricionistja Albana Daka, dhe dekani i Universitetit të Sporteve Fredi Mara

19 Korrik 2019, 13:11

Vera është stina e preferuar për shumicën e njerëzve pasi mund të zhvillohen një mori aktivitetesh dhe dinamika është më e madhe. Po në këtë stinë, njerëzit e anashkalojnë kujdesin që duhet të tregojnë ndaj të ushqyerit. Pikërisht për këtë temë folëm sot në studion e Rreze Dielli me nutricionisten Albana Daka dhe Ferdinand Mara, Dekani i fakultetit të veprimtarisë fizike e rekreacionit tek Universiteti i sporteve në Tiranë. Ne duam të “kënaqim’ stomakun, por në fakt ja se çfarë na këshillon nutricionistja për të prballuar këtë verë.

"Temperaturat e larta kanë ndikimin e vet edhe në organizëm. Me rritjen e temperaturave ne kemi një rritje të enëve të gjakut që furnizojnë organizmin dhe si rezultat i kësaj kemi një ngadalësim të procesit të tretjes gjatë stinës së verës. Jo më kot është ajo shprehja që duhet të hamë sa më pak në verë. Duhet të hamë sa më lehtë sepse edhe tretja nuk na lejon që të hamë gjëra më të vështira për tu tretur. Duhet të hamë sa më pak proteina shtazore, kjo për rsyen se proteinat shtazore janë më të vështira për tu tretur nga organizmi. Ne duhet të mundohemi që proteinat shtazore, sidomos ato të mishit të kuq ti minimizojmë dhe të kalojmë në proteina shtazore të thjeshta siç është pula dhe peshku. Pastaj edhe në gjithë proteinat bimore që janë shumë të mira, që janë gjithë bishtajoret, frutat e thata dhe të gjitha llojet e frutave.",- tha nutricionistja Albana Daka

Daka sqaron se një prej gabimeve që bëjmë në këtë stinë është edhe konsumi i frutave jo në mënyrë natyrale, por duke i shtrydhur ato. Sipas saj kjo gjë na bën që të humbasim frutat e fibrave ndaj edhe është e mira që ti konsumojmë në mënyrën e tyre natyrale.