Sulm me armë në tramvaj në Holandë, tre të vdekur dhe disa të plagosur, dyshohet akt terrorist

18 Mars 2019, 16:15

Një person i armatosur hapi zjarr në një tramvaj në qytetin Utreht të Holandës, duke vrarë tre persona dhe plagosur disa të tjerë. Zyrtarët thanë se incidenti mund të lidhet me terrorizëm. Sipas mediave vendase, dëshmitarët deklaruan se një burrë teksa udhëtonte në një nga tramvajet e qytetit, ka nxjerrë një armë dhe ka filluar të gjuajë në drejtim të pasagjerëve të tjerë. Ngjarja ka ndodhur rreth ores 10:45 me oren lokale në sheshin 24 Oktoberplein. Mësohet se atentatori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Autoriteti i transportit të Utrehtit tha se shërbimet e tramvajit në qytet janë anuluar të gjitha. Nuk dihen ende shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes si dhe faktit nëse bëhet fjalë për sulm terrorist. Policia holandeze ka identifikuar autorin e dyshuar të sulmit me armë në një tramvaj në Holandë. Ai është shtetasi turk, Gökman Tanis, 37 vjeç dhe aktualisht ndodhet në arrati. Banorët janë këshilluar që të mos i afrohen nëse e shikojnë, por të telefonojnë policinë. Foto është realizuar brenda tramvajit ku ndodhi sulmi. Sipas policisë, sulmuesi i dyshuar ndodhet në arrati.

"Disa njerëz janë plagosur. Zona përreth sulmit është mbyllur dhe ne po e hetojmë rastin", tha policia e qytetit në një postim në Twitter. Në një tjetër njoftim, policia po ashtu tha se "motivi i mundshëm terrorist është pjesë e hetimeve". Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, e anuloi një takim me koalicionin e tij qeveritar, pasi u njoftua për situatën, thanë zyrtarët. Kreu i Shërbimit Kombëtar Kundër Terrorizmit, Pieter-Jaap Aalbersberg, tha se po mban konsultime rreth incidentit dhe se terrorizmi nuk mund të përjashtohet si motiv.

Shërbimet e sigurimit raportohet se i kanë kërkuar Qendrës Mjekësore Universitare të Utrehtit të hapin një repart të veçantë për të ndihmuar në kujdesin për të plagosurit. Autoriteti i transportit të Utrehtit tha se disa shërbime të tramvajit po vazhdonjnë në qytet, ndonëse i paralajmëroi udhëtarët që "t'i kenë parasysh vonesat".