Sulm me thikë në xhaminë te Rruga e Kavajës! Autori qëllon punonjësin e picerisë dhe 4 besimtarë

19 Prill 2021, 21:28

TIRANË- Përgjaket muaji i shenjtë i Ramazanit!  Një sulm me thikë është regjistruar pasditen e kësaj të hëne në xhaminë ‘Dine Hoxha’ te rruga e Kavajës, ku kanë mbetur të plagosur 5 persona,  4 prej tyre besimtarë, teksa po faleshin. Report Tv ka mësuar të gjithë dinamikën e ngjarjes, ku mësohet se i riu i identifikuar Rudolf Nikollaj ka plagosur fillimisht punonjësin e picerisë, e më pas ka shkuar në xhaminë që ndodhet përballë rrugës duke sulmuar me thikë 4 besimtarë, fatmirësisht jashtë rrezikur për jetën.

Të plagosurit janë Donald Koçi, rreth 35 vjeç, Saba Peposhi, rreth 22 vjeç, Mariglen Konja, rreth 24 vjeç, Kleon Jaupaj, rreth 26 vjeç dhe Anri Tola, rreth 23 vjeç. Nga sa mësohet ato ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.Nuk dihen ende shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë, por mësohet se ai është arrestuar me akuzën e sulmit për qëllime terroriste, ku i pranishëm në vendin e ngjarjes ishte dhe kreu i Antiterrorit, Gledis Nano. Megjithatë, për familjarët ai është në depresion dhe i sëmurë prej më shumë se 6 muajsh, ku vetë nëna e tij me lot në sy kërkonte nga shtetit “që t’i shëronin djalin”.

Autori është ndaluar nga vetë kalimtarët, të cilët edhe e kanë goditur me shpulla dhe shqelma dhe më pas është arrestuar nga uniformat blu. Report Tv sjell foto nga momenti i arrestimit të të riut, teksa shihet që mes forcave të policisë që po i vënë pranga autorit, janë edhe dhjetëra persona të tjerë të cilët kanë parë nga afër ngjarjen e rëndë.

Kush është Rudolf Nikollaj? Rudolf Nikollaj është një person i njohur për policinë e Shtetit dhe drejtësinë shqiptare, pasi vetëm një muaj më parë ai kishte plagosur me thikë një tjetër person në terminalin e autobusëve për Jugun. I riu me origjinë nga Klosi, i moshës 34-vjeçare, ishte në kërkim për këtë ngjarje nga policia, por kjo nuk e ka ndalur që të kryej një tjetër akt të rëndë.