Sulmet ndaj KZAZ-ve, Rama: PD si talebanët! Përgjimet sallatë fjalësh, antena u vendos vetëm te PS-ja

20 Qershor 2019, 14:24 | Përditesimi i fundit: 2019-06-20 16:17:24

Sulmet e bashkive të drejtuara nga opozita dhe militantëve të saj kundër KZAZ-ve, Rama i krahasoi me ato të talebanëve në Afganistan. Rama komentoi edhe përgjimet e tjera që nxori mbrëmë Bild, për të cilat tha se janë një sallatë fjalësh për koka me zbrazëti.

Ai tha se bisedat e dala nga PD-ja po i kryejnë funksionet për të penguar hapjen e negociatave, ndërsa shtoi se si biseda që ka bërë dhe që doli para tre ditësh ka bërë me mijëra me shtabet. Kryeministri theksoi se antena e përgjimeve u vendos vetëm mbi shtabin e PS-së dhe jo tjetrën, referuar grupit të Flamur Nokës që u përplas me socialistët në zgjedhjet e Dibrës.

"Këta kryebashkiakë nuk duhet të harrojnë dekriminalizimin që e kemi votuar dhe me atë ligj do të humbin të drejtën që të bëhen edhe kryepleq nëse vijojnë të bëjnë këtë që po bëjnë. Përgjimet dalin për koka me një zbrazti të konsiderueshme si koka në fjalë (i referohet Kujtim Gjuzit) që po më drejtohet mua. Unë u them shqiptarëve. Biseda është nxjerrë nga konteksti.

Ato përgjime po e kryejnë funksionin për objektivin ku ka qenë instaluar e gjithë PD-ja me në krye Bashën dhe të gjithë deputetët që ushtronin presion dhe dhunë. Antena u vendos vetëm mbi shtabin e PS-së dhe jo tjetrën, por pse nuk doli një urdhër i vetëm për kapjen në flagrancë, pse shkuan te PD-ja? Pse tani? Pse në Gjermani? Si shpjegohet se lajmet e Gjermanisë i pararend Qim.neti.Kjo është një sallatë e madhe fjalësh, por nuk ka asgjë dhe janë në proces. Brenda katër javëve do u kërkoj gjykatave gjermane që të zbardhin të vërtetën për gjithcka që është thënë në adresën time.

Unë atë bisedë e kam bërë dhe do ta përsërisja dhe të tilla kam bërë me mijëra me të gjithë shtabet dhe koordinarorët. Shteti do të fitojë mbi antishtetin, këta sillen si talebanë. Ajo që ndodh sot në oborret e shkollave ndodh në Afganistan, talebanët kanë ndërmarrë të njëjtën orvatje për të penguar zgjedhjet. PD-ja është talebanizuar. Ndërkombëtarët janë në krah të popullit shqiptar për të garantuar të drejtën e zgjedhjeve. Ndërkombëtarët kanë kërkuar nxjerrjen para përgjegjësive të nxitësve të dhunës".