Sulmuan KZAZ-në në Kukës, arrest shtëpie për punonjësit e bashkisë, dalin me dy gishtat lart

23 Qershor 2019, 14:52

KUKËS-Gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë për katër personat e arrestuar katër ditë më parë për sulmin mbi KZAZ-në numër 11, nga arrest me burg në arrest shtëpie. Ahmet Cahani 46 vjeç, shofer ne Bashkine e Kukesit, Ermal Haziri 42 vjeç, po shofer ne Bashkine e Kukesit, Ersi Biçaku 26 vjeç, inspektor i policisë Bashkiake dhe Ervin Meshi, 35 vjeç, militant i PD-së tashmë do të hetohen në arrest shtëpie.

Ata u arrestuan pasi sulmuan KZAZ-në te gjimnazi  'Hazi Nela', ku në bashkëpunim me njeri tjetrin shkatërruan derën e palestrës dhe i vunë zjarrin në oborr, ndërsa kundërshtuan policinë. Tre punonjësit dhe militanti opozitar dolën sot para gjykatës, e cila pranoi kërkesën e prokurorisë duke ndryshuar masën e sigurisë. Dje u shoqërua edhe Lulëzim Shehu punëtor gjelbërimi në bashkinë Kukës.

Ndërsa janë shpallur në kërkim 6 pjesëmarrës të tjerë dhe 4 janë proceduar në gjendje të lirë. Në momentin që po jepej masa e sigurisë, jashtë gjykatës ishin mbledhur drejtues të PD-së dhe militantë duke kërkuar lirimin e tyre me thirrjet 'Rama ik', pasi arrestimin e cilësuan si politik. Gjykata e qytetit të Shkodrës dje caktoi masën e sigurisë 'arrest shtëpie' për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Bardh Spahia, lidhur me sulmin në shkollën "Shejnaze Juka", e shndërruar në KZAZ.