Takime FSHF-polici dhe mbledhja e Komitetit Ekzekutiv, të martën mund të rinisë futbolli

11 Mars 2019, 17:34

Ndërprerja e futbollit të luajtur në Shqipëri me shumë mundësi do të marrë fund nesër, pasi të martën janë caktuar të luhen ndeshjet e para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Edhe pse për momentin arbitrat janë në bojkot, pas mbledhjes së tryezës së përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe FSHF-së, presidenti Duka ka dhënë sinjale pozitive.

Numri 1 i FSHF-së i pyetur për vazhdimin e kampionatit është shprehur se sot do të mblidhet Komiteti Ekzekutiv ku bën pjesë edhe shoqata e arbitrave dhe në të njëjtën kohë do të mbahet një takim me përfaqësuesit e policisë.

Duke u nisur edhe nga fjalët e kryeministrit Rama që topi nuk mund të rrotullohet pa policinë, sot me të gjithë gjasat është dita e fundit e bojkotit të arbitrave, pasi në horizont dallohet marrëveshja mes FSHF-së dhe policisë.

Ndërkohë për takimin e mbajtur sot me qeverinë Duka është shprehur:

“Futbolli ka nevojë për shumë ndryshime ligjore për ta bërë atë sa më prodiuktiv, diçka e cila u diskutua në këtë tavolinë. Unë falenderoj kryeministrin dhe të gjithë anëtarët e qeverisë që ishin në mbledhje dhe trguan se futbolli është emëruesi i përbashkët, futbolli është i rëndësishëm dhe duhet mbështetur.”