‘Të dorëzuar’ përpara ndotjes së Fierzës, ende asnjë zgjidhje për pastrimin e liqenit

4 Maj 2021, 16:57

KUKËS- Liqeni i Fierzës, është shndërruar sërish në basenin grumbullues të mbetjeve urbane të Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Mbeturinat janë shfaqur në breg dhe në sipërfaqen e ujërave të liqenit duke krijuar ndotje masive.

Drejtori i Agjencisë së Mjedisit në Kukës, Arben Palushi, thotë se situatë është katastrofike por bashkia nuk ka kompetenca për pastrimin e gjithë sipërfaqes së liqenit ndërsa zgjidhja është vendosja e rrjetave mbrojtëse në burimet e ndotjes në Kosovë e Maqedoninë e Veriut. 

Është një bashki pa kompetenca për pastrimin e gjithë këtyre mbetjeve. Ndotjet janë shumë të mëdha, ne përpiqemi për pastrim, por zgjidhja do të ishte vendosja e rrjeteve përgjatë lumenjve", tha Arben Palushi, Drejtor i Agjensisë së Mjedisit  dhe Liqenit të Fierzës në Bashkinë e Kukësit  

Ndryshe mendon Rifat Demalia Drejtues i “Qendrës për Progres Rinor”. Sipas tij vendosja e rrjetave nuk është zgjidhje në kushtet kur banorët e njësive administrative në Kukës i hedhin mbeturinat brigjeve të lumenjve.

"Do të ishte mirë për zgjidhje nëpër fshatra për vendgrumbullim mbetjesh, ndërsa rrjetat nuk janë zgjidhe përfundimtare", tha  Rifat Demalija Drejtues i “Qendra për Progres Rinor” Kukës  

Projektet ndërkufitare për ruajtjen e liqenit të Fierzës ekzistojnë vetëm në letër, ndërsa aksionet sporadike të pastrimit në bregliqen nuk kanë dhënë efekt. Ndotja prej vitesh po dëmton turizmin dhe ekosistemin e liqenit të Fierzës.