'Të edukohen fëmijët me dashuri', rikthehet panairi i kafshëve shtëpiake

19 Maj 2019, 18:25

Rikthehet për miqtë e kafshëve dhe jo vetëm, Panairi i Kafshëve Shtëpiake, edicioni i 3-të. Aktiviteti mblodhi së bashku partnerë, organizata të ndryshme, profesionistë, subjekte private, individë e dashamirës që kanë interes dhe janë pjesë aktive në çështjet e mirëqenies së kafshëve. Dhjetëra qytetarë së bashku me kafshët e tyre, shijuan aktivitetet e shumta argëtuese dhe edukuese të organizuara në këtë Panair.

 “Ua sugjeroj të gjithëve të kenë një kafshë në shtëpi, janë dashuri e pashtershme. Mesazhi im është që të adoptoni më shumë se sa të blini. Nëse nuk keni mundësi, të paktën i sugjeroni te të tjerët që munden”, tha një qytetar. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranë Andi Seferi u shpreh se ky event synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit të komunitetit për kujdesin ndaj kafshëve.

 “Nëpërmjet këtij aktiviteti ku ka shumë element, ku ka ekspozitë, klinika veterinare, orë edukimi për kujdesin e i kafshëve arrijmë në idenë se nuk duhen braktisur kafshët”, u shpreh Seferi.

Por më së shumti në këtë panair u argëtuan më të vegjlit, të cilët dhanë dhe mesazhe të rëndësishme për kujdesin ndaj kafshëve.

 “Kafsha ime e preferuar është macja, dhe kur të rritem do ta marr një. Të keni qejf kafshët se do t’ju ndryshojnë jetën, ju japin ngjyra jetës”, tha një fëmijë. Por përveç argëtimit, një pjesë të rëndësishme në këtë aktivitet morën edhe garat, pasi kafshët pjesëmarrëse konkurruan për çmimet "kafsha më e zgjuar dhe më e bukur".