Të mërkurën Superliga, drejtori i Vllaznisë: Tani të gjithë skuadrat luajnë shumë të motivuara kundër nesh

19 Janar 2021, 17:27

Të mërkurën në orën 13:45 do të luhen 4 nga 5 ndeshjet e javës së 15 të Superligës. Vllaznia, e cila është edhe kryesuesja e kampionatit me 9 pikë më shumë se ndjekësit, do të luajë në transfertë kundër Bylisit.

Marko Djarmati, drejtor i Vllaznisë: “Tani çdo ndeshje kundër Vllaznisë, e dinë se luajnë kundër kryesuesve edhe japin më shumë se ç’bëjnë zakonisht.”

Erdenis Gurishta, futbollist i Vllaznisë: “Nuk duhet parë klasifikimi, sepse Bylis është shumë i fortë dhe shumë agresiv në fushën e vet. Normalisht nuk është ajo skuadër e sezonit të kaluar, por në fushën e vet janë shumë agresiv. Ne do t’i përgjigjemi me të njëjtën mënyrë.”

Ndërkohë Teuta e vendit të tretë do të përballet me Kastriotin. Durrsakëve nuk u lejohet asnjë hap fals, në rast se duan të luftojnë për titullin.

Edi Martini, trajner i Teutës: “Është një ndeshje shumë e fortë. E pashë Kastriotin në ndeshjen që luajti me Tiranën dhe ishte e barbartë në fushë. Kishte rastet e veta dhe mund të kalonte në epërsi. Është një ekip I fortë, që ka grintë në çdo repart të fushës.”

Sakaq te Kastrioti qajnë mungesat e shumta, të cilat sipas trajnerit kanë ndikuar në rezultat.

Ramazan Ndreu, trajner i Kastriotit: “Presim këtë javë që në ndeshjen me Durrësin, por edhe me Vllazninë që të na rikthehen lojtarët dhe të jemi në formën më të mirë. Jemi një skuadër e brishtë dhe nëse na mungojnë 3-4 lojtarë nuk e kemi kontigjentin e duhur për t’i përballuar, aq më tepër në këtë ngjeshje kampionati.”

Dy ndeshjet e tjera të mërkurën do të jenë Apolonia-Kukësi dhe Laçi-Skënderbeu, ndërsa të enjten është derbi Partizani-Tirana.