Masakër në dy klube nate në Gjermani, 11 viktima dhe 4 të plagosur

20 Shkurt 2020, 09:44 | Përditesimi i fundit: 2020-02-20 11:19:50

Natë e përgjakur në portat e Frankfurtit.

Sipas policisë, një masakër e përmasave të mëdha ka ndodhur në Hanau, njëzet kilometra në lindje të kryeqytetit financiar, ku kanë gjetur vdekjen 11 persona dhe janë plagosur katër të tjerë. Mediat në Gjermani, pas zbulimit të një videoje dhe letre të gjetur në shtëpinë e vrasësit, thonë se vrasësi është një ekstremist i krahut të djathtë kurse Prokuroria e Përgjithshëm ka hapur një hetim duke e cilësuar aktin me motive racisteSipas rindërtimeve të para të ngjarjes, vrasësi kishte mbërritur rreth orës dhjetë të mbrëmjes së djeshme në qendër të qytetit me një makinë të errët dhe ka hapur zjarr në dy klube nate të frekuentuara kryesisht nga komuniteti turk.

Viktimat e të shtënave ishin të paktën nëntë, por teksa sot rreth orës pesë të mëngjesit kur policia ndërhyri në shtëpinë e autorit të masakrës e gjetën atë të vrarë bashkë me nje tjetër person. Në banesë u sekuestruan gjithashtu armë dhe municion.

Gazeta Bild flet për një video dhe një letër në të cilën agresori Tobias R. ka shpjeguar  arsyet e tërbimit të tij vrastar. “Disa popuj që nuk janë në gjendje të dëbohen nga Gjermania duhet të shfarosen”, shkruante ai në letër.

Policia ndërkohë po vazhdon hetimet dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar se kanë patur lidhje me agresorin.