Tenori shqiptar Saimir Pirgu në operën e Los Anxhelesit me ‘La Boheme’

15 Shtator 2019, 16:27

Një nga sukseset më të mëdha të tenorit Saimir Pirgut gjatë viteve të fundit është roli i Rodolfos tek “La Boheme” e Giacomo Puccini-t. Këtë muaj, tenori shqiptar kthehet në operën e Los Angeles me vizionin e regjisorit Barrie Kosky në “La Bohéme”, duke kënduar rolin Rodolfo, më të rëndësishmin edhe të pavdekshmin e Puçini-t.

Nuk është hera e parë që artisti luan rolin e Rodolfos, por fakti që ky rol është interpretuar edhe nga të tjerë artistë me emër e bëjnë Pirgun që të jetë më i vendosur për të sjellë tek publiku diçka të re. Artisti për mediet e huaja ka rrëfyer, se ndonëse qasjet e publikut ndaj operës në vende të ndryshme, janë të ndryshme, ai ka zgjedhur që të bëjë më të mirën në muzikë, duke harruar popullaritetin. Edhe pse mendon se është shumë e vështirë, që të jetë besnik ndaj muzikës, sërish ai punon për ta bërë këtë më së miri dita-ditës.