Tërmeti/ 4 'përgjegjës' të shpallur në kërkim të arratisur në Itali, 3 të tjerët kërkohen në Tiranë

15 Dhjetor 2019, 12:28 | Përditesimi i fundit: 2019-12-15 14:13:45

TIRANË- Dosja 'Tërmeti', një hetim që kryhet për herë të parë në Shqipëri ka angazhuar autoritet shqiptare për të çuar para drejtësisë personat përgjegjës për shembjen e banesave nga tërmeti i 26 Nëntorit që shkaktoi 51 viktima. Report Tv mëson se 4 nga 9 personat e shpallur në kërkim të cilët akuzohen si përgjegjës humbjen e jetëve nga ndërtesat e shembura nga tërmeti i 26 Nëntorit janë larguar drejt Italisë.

Policia i ka bërë kërkesë autoriteteve italiane për të bërë të mundur lokalizimin e tyre. Ndërkohë që prej mbrëmjes së djeshme në Tiranë po kryhen operacione për kapjen e tre të tjerëve të cilët dyshohet se fshihen në kryeqytet. Gazetari Arsen Rusta se janë lokalizuar në Tiranë 2 ndërtues dhe 1 inxhinier të shpallur në kërkim.

Personat e shpallur në kërkim

1. Arben Qato pronar i Vila Palma
2. Dëshira Qato-shefe e urbanistikës në Kavajë (Gruaja e Arben Qatos)
3. Aldo Dakovelli, shef sektori në Kadastrën e Durrësit
4. Artemis Malko punonjës terreni në Kadastrën e Durrësit
5. Artur Cela, ish-drejtori i INUV
6. Flamur Gjuzi, ish-drejtori i ALUIZNIT Durrës, dhe ish-kandidat i LSI për deputet
7. Artur Terziu, pronari i 'Bar Barons'
8-9. Dy ndërtuesit e banesës së familjes Lala në Kënetë

Hetimet pas tërmetit pritet të sjellin të arrestuar edhe për viktimat e Thumanës. Burime nga Prokuroria e Krujës bëjnë me dije se janë shënjestruar disa persona si përgjegjës, mes tyre edhe funksionarë publikë.

Prokuroria e Durrësit lëshoi mbrëmjen e së premtes 18 urdhër arreste për zyrtarë, ndërtues, inxhinierë dhe specialistë. Nga veprimet e hetimore ka rezultuar se dëmtimet, shembjet e këtyre godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit. Nga aksioni i policisë u vunë në pranga 9 persona ndërsa 9 të tjerë vijojnë të jenë në kërkim. Ndaj tyre rëndon edhe akuza e vrasjes me dashje në mënyrë indirekte.

Në shënjestër të hetimeve janë ndërtesat, shembja e të cilave la pas viktima, si Konvaleshenca, hotel Mira Mare, hotel Tropikal, Vila Palma, pallati 6-katësh, por edhe ndërtesat e tjera të dëmtuara që janë shpallur pabanueshme.