Thyhen kolonat e vilës 4-katëshe në Spitallë, ende asnjë grup inspektimi! Pronari: Më mashtruan tek hekuri e çimento

7 Dhjetor 2019, 13:51

DURRËS - I janë dashur 13 vjet për ta ndërtuar, po vila e familjes Xhurxhi në Spitallë të Durrësit ka pësuar dëme të mëdha nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, dhe rrezikon të shembet. Për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta, kryefamiljari Ahmet Xhurxhi tregon se e ka ndërtuar gjithçka vet, pasi edhe në Greqi punon në ndërtim, por ka dyshime se mund të kenë abuzuar pa dijeninë e tij me cilësinë e çimentos, hekuri dhe inerteve që janë përdorur.

Ai tha se i disponon faturat e blerjes së mallarave, ndërsa apelon që shteti të shkojë për të bërë verifikimin e vilës. Bashkëshortja e tij, Shame Xhurxhi thotë se vila është e rrezikshme dhe nëse bie rrezikon një shtëpi pas saj, dhe shkollën që ndodhet përbri.

Unë një jetë kam punuar me familjen në Greqi, me çunat dhe nusen. Polici i zonës ka vënë shiritin, unë dua të vijnë ekspertët dhe shtëpia të shembet. Unë po qëndroj tek vëllai, ata janë 11 vetë. Unë me nusen rrimë në katin e katërt, dy çunat në katin e dytë dhe të tretë, ndërsa kati i parë është biznes. Dy çunat i përcolla për në Greqi se nuk mund t'i mbaja këtu.  Nuk kam kursyer kolona, as hekur, por jam mashtruar me çimenton që është përdorur, ose inertet.  Unë punoj në ndërtim në Greqi dhe jam munduar të bëj më të mirën për shtëpinë time, kolonat janë 50 me 50 dhe në formë L-je, që edhe komshinjtë këtu janë habitur kur e kam bërë këtë shtëpi. E vetmja që është këtu, ose hekuri ose çimentoja që është e pavlefshme. Nuk kam kursyes asnjë send. Në 2001-shin e kam nisur shtëpinë, në 2014-ën e kam mbaruar. 21 vjet jam në Greqi, as nuk e kam gëzuar këtë shtëpi.  Kam të gjitha faturat, ndoshta nuk mund të jenë të gjitha, por i kam ato që kam blerë materialet. Këtu po rrezikohen edhe komshinjtë, është rruga, nuk dihet nga mund të bie" shprehet Ahmet Xhurxhi.

Zonja e tij Shamja, prej një ore qëndronte para Prokurorisë së Durrësit, me shpresën që dikush ta dëgjonte. Aty u takua edhe me gazetarin e Report Tv Arsen Rusta, teksa ndiqnin një prononcim që pati për mediat kryeprokurori i ri, Olsian Çela. Me shpresën se zëri i saj do të dëgjohet përmes ekranit, ajo ftoi grupin e xhirimit të Report Tv për të parë nga afër situatën në shtëpinë e saj. Kati i parë thuajse ka rënë përtokë pasi kolonat janë dëmtuar.

"Shtëpia jonë u prish se erdhi prej zotit nuk ma bëri asnjë njeri. Dua të vijnë ekspertët të bëjnë vlerësimet. Dua çdo gjë me ligj, me rregull, kjo është në rrezik, rrezikon shtëpia mbrapa, dhe shkolla anash", thotë Shame Xhurxhi.

"Tani forca vjen kur shteti të jep një farë të drejte, që edhe unë të vihem në lëvizje, se shpirti im këtu është. Edhe pse jetoj në Greqi, shpirtin e kam këtu. Me këtë drejtim shteti, nuk e di...", përfundon Ahmeti.

Ai ka marrë pjesë vet në ndërtimin e vilës, ndërsa banesa është e hipotekuar me çertifikatë pronësie.