Tirana lufton për mbijetesën, Nallbani: Fajtorët janë lojtarët, por ia dalin

22 Maj 2019, 13:18

Nëse llogaritë për titullin janë mbyllur krejt e kundërta ndodh me mbijetesën në Superligë. Së bashku me Kastriotin tepër e rrezikuar është edhe Tirana, klubi që vetëm këtë sezon është rikthyer në elitë. Në një intervistë për “report tv”, legjenda e klubit bardheblu, Blendi Nallbani, për këtë situatë është shprehur:

“Më vjen shumë keq që Tirana po përsërit atë që ka ndodhur para dy vitesh. Është një moment shumë i vështirë që po kalon klubi, por fajtorët kryesorë janë lojtarët.”

Për mbijetesën gjithçka do të vendoset në dy javët e fundit, por sipas Nallbanit Tirana duhet ta kishte zgjidhur më parë.

“Në minutat e fundit ndërhyjnë shumë faktorë sepse ne këtu jetojmë. Këto ndodhin në Shqipëri, por edhe në vende të huaja.”

Pavarësisht veshtirësive, ish-portieri i badhebluve, është optimist se Tirana në fund do ia dalë.

“Kam shumë besim te ekipi i Tiranës, te emri i madh, te klubi. Kam bindje të plotë se do t’ia hedhë edhe këtë radhë.”

Në karrierën si futbollist Nallbani ka qenë edhe pjesë e Partizanit, për të cilin thotë se e meritoi plotësisht titullin kampion.

“Partizani bëri një kampionat shumë të rregullt, të saktë dhe pa ndërhyrje. Suksesi ishte me meritë”